Nga “Sudja” te skemat online: Si u zhyt Divjaka në mashtrimet dixhitale

Dukej se askush nuk do të binte më pre e skemave piramidale pas eksperiencës traumatike të viteve ’96-’97. Por ky ishte një iluzion. Dy dekada më vonë, kriminelët kibernetikë kanë gjetur mënyra të reja për të manipuluar psikologjikisht qytetarët dhe për t’u marrë kursimet, duke i futur ata në kurthe gjithnjë e më të sofistikuara.
Një vizitë e disa ditëve më parë në qytezën e qetë të Divjakës më tronditi. Fillimisht, kur pyeta banorë të moshave të ndryshme nëse kishin marrë pjesë në skemat piramidale online, përgjigjja ishte mohimi kategorik. Por pas një këmbënguljeje disi diplomatike, të fshehtat dolën shpejt në dritë.
Edhe pse skema ishte denoncuar publikisht nga ish-deputeti i zonës, Erion Braçe, pothuajse të gjithë të kontaktuarit ishin pjesë e saj. Të verbuar nga shpëlarja e trurit, ata shfaqnin bindje të plotë se nuk kishte asgjë të dyshimtë.
“Kam investuar”, tregoi një e moshuar, “dhe para pak ditësh vajza më kërkoi një milion lekë që të bëhej pjesë e platformës.” Çuditërisht, shqetësimi i saj nuk lidhej me rrezikun e humbjes së parave, por me frikën se vajza mund t’i përdorte për “gjëra jo të shëndetshme” si tatuazhe apo botoks.
Të tjerë banorë shfaqnin nervozizëm e pakënaqësi, duke fajësuar Braçen dhe Policinë për bllokimin e skemës. “Na e prishën mundësinë e artë për të fituar”, pëshpëritnin. Në qytet kishte rënë një heshtje e rëndë, përzier me mosbesim dhe dyshime. Disa më shikonin sikur të isha agjente policie, ndërsa të tjerë mallkonin miqtë që i kishin futur në kurthin dixhital.
Një pensionist, i dridhur nga frika e humbjes së kursimeve të bukës së gojës, ngrinte sytë nga qielli dhe thoshte me dhimbje: “Si nuk vumë mend nga Sudja…”. Ndërsa një fermer, i hutuar nga dëshpërimi, u përplas me shtyllën elektrike duke murmuritur: “Zot na ruaj, na ka ikur mendja fare. Ja ku e kemi tokën, ç’na duhej ky sport.”
Ky vëzhgim është dëshmi e gjallë se mashtrimet dixhitale nuk janë më raste sporadike, por një fenomen në rritje. Përveç humbjeve të mëdha financiare, ato po sjellin pasoja të rënda psikologjike dhe ligjore për viktimat. Dhe mësimi është i qartë: paratë e fituara pa mund, paguhen gjithmonë me çmim të lartë.
Arrestimet dhe hetimi
Operacioni i përbashkët i Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Fierit, i koduar “XUEX”, çoi në pranga gjashtë persona dhe në shpalljen në kërkim të dy të tjerëve. Të arrestuarit janë:
- Arbër Çela, 38 vjeç, Lushnjë
- Emanuel Taullau, 21 vjeç, Lushnjë
- Flavio Mukaj, 23 vjeç, Lushnjë
- Marius Kodra, 28 vjeç, Tiranë
- Brunilda Todi, 38 vjeçe, Divjakë
- Brunilda Ndini, 38 vjeçe, Divjakë
Ndërsa në kërkim janë një 35-vjeçar dhe një 29-vjeçare, të dy banues në Divjakë.
Policia ka kryer mbi 80 kontrolle në banesa dhe biznese, duke sekuestruar pajisje elektronike, dokumente financiare dhe komunikime të brendshme që po shërbejnë si prova. Prokuroria ka nisur procedimin penal për veprat “Skema mashtruese piramidale” dhe “Mashtrim kompjuterik”.
Marsela Topi / Fieri Web




