Fier – Prokuroria çon në gjyq tre shtetas për ndërtim të paligjshëm, shpërdorim detyre

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre shtetas, të akuzuar për ndërtim të paligjshëm, shpërdorim detyre dhe ekspertim të rremë.
Në kuadër të procedimit penal nr.322 të vitit 2021, hetimet zbuluan se në lagjen “Kongresi”, Bashkia Lushnje, investitori/subjekti ndërtues N.Q., megjithëse i pajisur me leje ndërtimi, ka realizuar punime përtej kufijve të miratuar. Sipas aktit hetimor, sipërfaqja e ndërtuar në tejkalim të lejes arriti në 276.6 m², ose 77% e ndërtimit.
Hetimet u përqendruan edhe tek veprimet e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Lushnje. Prokuroria konstatoi se ish-kryeinspektori i IMT-së, shtetasi Gj.M., ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin, duke mos ushtruar në mënyrë të rregullt detyrën e kontrollit dhe monitorimit të lejeve të ndërtimit.
Po ashtu, eksperti E.S. akuzohet se ka paraqitur të dhëna të rreme në aktin e ekspertimit, duke zbutur shifrat reale të sipërfaqes së ndërtuar.
Në përfundim, Prokuroria Fier deklaron se mbetet e angazhuar në vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë atyre që shkelin regjimin juridik të tokës dhe ndërtimeve, si edhe punonjësve shtetërorë apo personave në shërbim publik që kryejnë vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore.




