Fier – Kapen të armatosur, nuk iu bindën urdhrit të policisë, arrestohen 2 persona
Dy persona janë arrestuar nga Policia e Fierit, pasi qarkullonin të armatosur me një automjet tip “Audi” dhe nuk iu bindën urdhrit të forcave të rendit për të ndaluar.
Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme në lagjen “Apollonia”, ku shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit Fier, me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, ndaluan automjetin në të cilin udhëtonin dy shtetas të dyshuar. Në momentin e ndërhyrjes, drejtuesi i makinës dhe pasagjerja tentuan të largoheshin, por u kapën menjëherë nga policia.
Gjatë kontrollit, në çantën marsup të drejtuesit të mjetit, u gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak. Armën, bashkë me automjetin dhe dy aparatet celularë, policia i sekuestroi në cilësinë e provës materiale.
Të arrestuarit janë:
- G. N. alias G. S., 40 vjeç, banues në fshatin Sulaj, i cili akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”;
- A. P., 31 vjeçe, banuese në fshatin Portëz, e akuzuar për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme ligjore.




