Detajet/ GJKKO dënon me burg ish-deputetin Alqi Bllako, por pritet të lirohet nga qelia

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur këtë pasdite vendimin për ish-deputetin socialist Alqi Bllako, i akuzuar për korrupsion pasiv në lidhje me çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Rudina Palloj e shpalli fajtor Bllakon për përfitim të paligjshëm në shumën 119 mijë euro dhe 7 milionë lekë. Ai u dënua me 4 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i reduktohet në 2 vite e 8 muaj.
Po ashtu, Gjykata vendosi që Bllakos t’i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Sipas gazetares Anila Hoxha, Gjykata ka urdhëruar shuarjen e masës së sigurimit “arrest në burg” për ish-deputetin, duke urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm nëse nuk mbahet për ndonjë çështje tjetër. Kjo pasi periudha e paraburgimit ka tejkaluar kohën e dënimit të dhënë nga Gjykata.
Në përfundim të seancës, u bë e ditur se Bllako pritet të lirohet nga qelia në orët në vijim.




