Fier/ Policia ndalon të kërkuarin dhe arreston drejtues motomjeti në gjendje të dehur, procedohen penalisht tre shtetas për vepra të ndryshme penale

Drejtoria Vendore e Policisë Fier bën me dije se si rezultat i kontrolleve të shtuara për rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e krimeve të ndryshme, janë arrestuar dhe proceduar disa shtetas.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor kapën dhe ndaluan shtetasin I. Ç., 38 vjeç, banues në Divjakë, i shpallur më parë në kërkim, pasi ishte dënuar nga Gjykata me 1 muaj burgim për veprën penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”.
Po ashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi V. H., 47 vjeç, banues në Fier, i cili u kap duke drejtuar motomjetin në gjendje të dehur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për:
- E. G., 39 vjeç, banues në fshatin Agim, pasi dyshohet se nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës për lejimin e takimit të fëmijëve të tij të mitur me bashkëshorten, me të cilën është në proces gjyqësor për zgjidhje martese;
- V. P., 60 vjeç dhe G. P., 37 vjeç, banues në fshatin Vidhishtë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur me grushte një shtetas 44-vjeçar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme ligjore.




