Miratimi i ligjit për barazinë gjinore, Luarasi: Krijon barazi dhe dinjitet. Nuk prek familjen, kush dezinformon nuk është në mbrojtje të saj

Teksa një ditë më parë Kuvendi miratoi me 77 vota pro ligjin për barazinë gjinore, i kontestuar nga opozita dhe shoqëria civile, deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, ka dalë në një konferencë për mediat duke sqaruar edhe një herë se ky ligj nuk prek konceptin e dy gjinive “burrë dhe grua”, por garanton barazi dhe dinjitet të tyre në jetën publike dhe sociale.
Deputetja sqaron se ligji nuk prek familjen tradicionale, ndërsa i cilësoi si dezinformim deklaratat e opozitës që këmbëngul në të kundërtën për gjini fluide.
“Koncepti i gjinisë është i përfshirë në Konventën e Stambollit, e cila është nënshkruar edhe nga Parlamenti shqiptar, edhe kur drejtohej nga opozita e sotme. Ai nuk flet për shumë gjini, por për ndjeshmëri gjinore dhe për korrrektësi gjinore në përdorimin e termave, në mënyrë që kolegët të mos nënvlerësohen në punë për shkak të gjinisë së tyre”, tha Luarasi.
Luarasi theksoi se ky ligj nuk është eksperiment social, por përmbushje e detyrimeve kushtetuese dhe sociale që korrigjon padrejtësi historike.
“Ky nuk është një eksperiment social, por përmbushje e detyrimeve kushtetuese dhe sociale. Politikat gjinore nuk kërcënojnë familjen, por e mbështesin atë dhe krijojnë mundësi të barabarta për të gjithë. Ato nuk krijojnë privilegje, por korrigjojnë padrejtësi historike.
Shqipëria nuk humbet identitetin e saj duke paguar gratë njësoj si burrat; përkundrazi, shoqëria ecën përpara kur gratë trajtohen me dinjitet dhe barazi. Të gjithë ata që dezinformojnë dhe nxisin urrejtje nuk janë mbrojtës të familjes, por pengues të progresit. Shqipëria nuk mund të hyjë në BE me diskriminim dhe pabarazi, por duhet të ecë përpara me barazi dhe dinjitet për të gjithë”, u shpreh Luarasi.
Duke përmendur disa nga shembuj të dhënë nga opozita për vendet e BE që kanë sanksionuar në Kushtetutë njohjen e vetëm dy gjinive, Luarasi u shpreh se vetë BE i ka cilësuar ato në shkelje të parimeve themelore të të drejtave të njeriut.
“Shumë herë nga opozita janë përmendur shembuj nga Evropa. Disa shtete kanë miratuar ndryshime kushtetuese që kufizojnë njohjen vetëm në dy gjini, por kjo nuk është një shembull që duhet ndjekur nga një vend që aspiron të hyjë në BE. KE ka hapur çështje ndaj tyre për shkelje të të drejtave themelore, dhe nëse shtetet nuk i korrigjojnë këto shkelje, rrezikojnë gjoba ditore ose refuzimin e fondeve të BE-së. Pra, nuk duhet të na ofrohen shembuj jo të mirë.
Ndërsa problemet imagjinare nuk duhet të jenë fokusi ynë, duhet të flasim për problemet reale: çdo ditë, 7 gra raportojnë dhunë në familje. Gratë paguhen 4.5% më pak për çdo punë të kryer. Rreth 30% e grave dhe vajzave nuk kërkojnë punë sepse i dedikohen vetëm shtëpisë, duke marrë vetëm 2% të të ardhurave. Kjo është një traditë familjare që disa duan ta ruajnë, ku gruaja mbetet e izoluar dhe e pa paguar”, tha ajo.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi mbrëmjen e së enjtes projektligjin për Barazinë Gjinore, me 77 vota pro, pas një seance maratonë të shoqëruar nga debate të forta politike.
Projektligji është pjesë e detyrimeve që Shqipëria ka ndaj Bashkimit Evropian dhe synon të përmirësojë kuadrin ligjor të vitit 2008, duke garantuar të drejta të barabarta për gratë dhe burrat në të gjitha fushat e jetës. Ligji i ri është harmonizuar me standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet e Komisionit Evropian, i cili ka kërkuar miratimin e tij brenda vitit 2025 si pjesë e piketave për hapjen e kapitujve themelorë të negociatave.




