65-vjetori i Kopshtit nr. 4 në Fier, çmime mirënjohjeje për edukatoret në pension
Në një atmosferë plot emocione dhe nostalgji, Kopshti nr. 4 në Fier festoi 65-vjetorin e krijimit të tij, një nga institucionet më të vjetra dhe më të dashura të edukimit parashkollor në qytet.

Në këtë ceremoni të veçantë, stafit të dikurshëm të edukatoreve, sanitareve dhe kuzhiniereve iu dorëzuan tituj dhe certifikata mirënjohjeje për kontributin e tyre shumëvjeçar në edukimin dhe kujdesin ndaj fëmijëve.

Eventi nisi me shfaqjen e një dokumentari kushtuar historikut të kopshtit dhe rrugëtimit të tij ndër vite, për të vijuar më pas me një program artistik nga fëmijët — me këngë, valle dhe recitime që emocionuan të pranishmit.

Drejtuesja e kopshtit, Vjollca Myftari, shprehu mirënjohjen për të gjitha gratë dhe vajzat që kanë dhënë kontribut në këtë institucion, duke theksuar se “suksesi në punë me fëmijët ka vetëm një sekret – dashurinë”.

Me tituj mirënjohjeje u vlerësuan:

Evangjeli Pano, Violeta Liko Dhima (Pambuku), Llamba Shollo, Niketa Goxhaj, Lavdie Pipa, Donika Rrushi, Dashuri Grëmi, Fanie Tushe dhe Tefta Trifoni.

Në këtë ceremoni morën pjesë edhe Nënkryetarja e Bashkisë Fier, Mirela Pitushi, deputetja Antoneta Dhima, drejtoresha e Qendrës Ekonomike të Arsimit për Bashkinë Fier, Silvana Laze, si edhe përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor.

Ky 65-vjetor riktheu kujtime të bukura për breza të tërë edukatoresh, që me përkushtim dhe dashuri kanë ndërtuar themelet e këtij institucioni të rëndësishëm të edukimit në Fier.




Gazetar: Kristaq Thano / fieriweb.com




