Arrestohet 46-vjeçari që furnizonte grupe kriminale me armë zjarri, përdorte taksinë për të shmangur policinë
Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Gun Expert”, i zhvilluar nga Komisariati Nr. 4 në bashkëpunim me Seksionin e Trafiqeve, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Në kuadër të këtij operacioni, i ndjekur me metoda speciale hetimi, u arrestua në flagrancë shtetasi A. C., 46 vjeç, banues në Tiranë, i cili përdorte automjetin e tij taksi për të transportuar dhe shpërndarë armë me qëllim furnizimin e grupeve kriminale.
Gjatë kontrollit në automjetin dhe banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi:
- 4 armë zjarri pistoletë,
- municion luftarak,
- lëndë narkotike kokainë,
- si edhe pjesë të ndryshme armësh.
Sipas hetimeve paraprake, 46-vjeçari ishte i implikuar më parë në veprimtari të njëjtë kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Policia njofton se vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.




