Fier/ Aksident mes makinës së Policisë dhe një automjeti “Benz”, tre të plagosur
Një aksident rrugor ka ndodhur mesditën e sotme në aksin Fier–Patos, ku janë përplasur dy automjete, duke shkaktuar tre të plagosur.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:10, kur një automjet i Policisë është përplasur me një automjet tip “Benz”, ndërsa udhëtonin në kahe të kundërta.
Si pasojë e përplasjes, dy efektivë të Komisariatit të Policisë Fier, si dhe drejtuesja e mjetit tjetër, janë transportuar në spital dhe po marrin ndihmë mjekësore.
Sipas të dhënave paraprake, reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë rajonin që prej mbrëmjes së djeshme mund të kenë ndikuar në aksident, duke vështirësuar dukshmërinë dhe kushtet e qarkullimit.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit.




