Fier – Prurjet e Vjosës arrijnë nivel kritik në Kashisht, rrezikohen tokat bujqësore dhe banesat pranë lumit
Prurjet e lumit Vjosa në fshatin Kashisht të Fierit kanë arritur sot në një pikë kritike, duke shkaktuar alarm tek banorët e zonës. Ata raportojnë se nga orët e para të mëngjesit deri në mesditë niveli i ujit është rritur mbi 1 metër, duke e kthyer situatën në një rrezik real për përmbytjen e tokave bujqësore.
Sipas banorëve, me këtë intensitet prurjesh rreziku që lumi të dalë nga shtrati është shumë i madh. Ata theksojnë se një nivel kaq i lartë i Vjosës nuk është parë prej të paktën katër vitesh.
Banorët shprehen se janë të frikësuar dhe po monitorojnë situatën me shqetësim të vazhdueshëm, pasi prej vitesh lumi nuk ka krijuar probleme në zonë, por sot po rritet me ritme të shpejta.
Sipas administratorit të Njësisë Administrative Frakull, Emiljano Braka, banorët janë njoftuar që në orët e para të ditës për rrezikun e përmbytjeve. Ai thekson se nëse lumi del nga shtrati, dëmet që mund t’u shkaktohen fermerëve do të jenë “kolosale”.
Ndërkohë, orët e pasdites konsiderohen vendimtare, pasi pritet të ketë reshje me intensitet të lartë që mund të shtojnë më tej prurjet e lumit.
Fermerët në terren shprehen të alarmuar. Njëri prej tyre thotë se “Vjosa, nëse del nga shtrati, kthehet në një përbindësh të vërtetë”, duke kujtuar përmbytjet e viteve të mëparshme nga të cilat – sipas tij – nuk janë dëmshpërblyer kurrë. Ai shton se në rast përmbytjesh, “do të duheshin dy vite që të merrnim veten”.




