Fier – Prurjet e Vjosës shënojnë pikun, drejt normalizimit të situatës; qindra hektarë tokë bujqësore nën ujë në Çerven dhe Kashisht
Prurjet e lumit Vjosë kanë arritur pikun rreth orës 10:30 të së enjtes në territorin e bashkisë Fier, ndërsa ekspertët e emergjencave civile parashikojnë se gjatë orëve në vijim situata do të nisë të normalizohet. Përmbytjet kanë prekur kryesisht zonat bujqësore të Çervenit dhe Kashishtit në njësinë administrative Frakull.
Sipas banorëve të zonës, vetëm në Çerven janë përmbytur rreth 120 hektarë tokë bujqësore, të mbjella me drithëra dhe foragjere, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme për fermerët e kësaj njësie. Banorët shprehen se ujërat kanë hyrë me shpejtësi në mëngjes, duke mbuluar sipërfaqe të mëdha toke.
Ekspertët bëjnë me dije se niveli i lumit është në rënie. Kuota maksimale prej 7.2 metrash, e shënuar në orën 03:00 të mëngjesit në Memaliaj, ka zbritur aktualisht në 6 metra, tregues ky i lehtësimit gradual të situatës së prurjeve.
Moti i keq me erëra të forta ka shkaktuar dëmtime edhe në disa sera me luleshtrydhe në Frakull dhe Cakran, ku fermerët raportojnë probleme të konsiderueshme në kulturat bujqësore.
Ndërkohë, përmbytjet e kësaj vale reshjesh nuk kanë rrezikuar zonat e banuara, falë ndërhyrjeve në sistemet kulluese dhe argjinaturave të ndërtuara vitet e fundit, të cilat kanë mbajtur nën kontroll daljen e ujërave nga shtrati.
Strukturat e emergjencave civile vijojnë monitorimin në terren deri në stabilizimin e plotë të situatës.




