Çifti Ruko nga Roskoveci: Një shembull suksesi në prodhimin bio të perimeve

Ndërsa shumë fermerë ankohen se nuk arrijnë të shesin prodhimet e tyre dhe shpesh detyrohen t’i hedhin, bashkëshortët Ajet dhe Lumturi Ruko nga fshati Suk i Roskovecit kanë gjetur një model suksesi përmes kultivimit të perimeve bio.
Ata kultivojnë speca dhe domate në një dynym, duke përdorur vetëm pleh organik dhe metoda natyrore për kontrollin e insekteve të dëmshme, përmes insekteve të dobishme dhe kurtheve me feromone.
Ajet Ruko: “Kryesisht kultivojmë speca dhe domate dhe përpiqemi që prodhimi të jetë bio. Përdorim vetëm pleh organik dhe luftojmë insektet me metoda natyrale dhe kurthe feromonike.”
Puna në sera kryhet familjarisht dhe kërkon shumë përkushtim, por çiftit Ruko kjo lodhje i shpërblehet kur prodhimi shitet me çmim të mirë.
Lumturi Ruko: “Punojmë si familje. Puna është e lodhshme, por kur shohim rezultatin dhe prodhimin e mirë, lodhja harrohet. Sivjet kemi pasur prodhim të mbarë dhe çmim të mirë, jemi vërtet të kënaqur.”
Në një serë prej një hektari, të ngritur që në vitin 2013, fermerët kultivojnë kryesisht domate, tranguj dhe speca. Prodhimi arrin deri në 17 tonë në sezon, të cilat shiten si në tregun vendas, ashtu edhe në atë të huaj.
Megjithatë, çiftit Ruko u mungon mbështetja e duhur nga shteti, sidomos për infrastrukturën dhe skemat e subvencionimit, pasi thonë se nuk kanë përfituar ende nga mundësitë ekzistuese, pavarësisht prodhimit të konsiderueshëm.
Ky çift tregon se me punë, përkushtim dhe metoda natyrore, prodhimi bio mund të jetë i suksesshëm edhe në kushtet e vështira të tregut vendas.




