Agron Shehaj në Fier: Partia Mundësia është alternativa e ndershme

FIER – Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, gjatë një deklarate nga qyteti i Fierit, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përdor zgjedhjet e 11 majit si mjet për të mbrojtur bashkëpunëtorët e tij të akuzuar për korrupsion. Sipas Shehajt, shumë kandidatë në listat e Partisë Socialiste janë persona që ndodhen nën hetim, përfshirë ish-ministra dhe deputetë.
“Listat e PS-së janë plot me ish-deputetë dhe ish-ministra nën hetim për korrupsion. Olta Xhaçka është nën hetim dhe Rama e mbrojti për të mos i hequr mandatin. Tani kërkon votën tuaj për ta mbrojtur sërish në Parlament,” deklaroi Shehaj.
Ai theksoi se, ndryshe nga kjo praktikë, kandidatët e Partisë Mundësia nuk kanë mbajtur poste publike dhe vijnë nga jeta e përditshme dhe puna e ndershme.
Duke iu përgjigjur deklaratave të kryeministrit kundër partive të reja, Shehaj u shpreh se Rama i druhet ndryshimit dhe përpiqet të ruajë kontrollin mbi sistemin politik: “Edi Rama thotë ‘s’na duhen parti të treta’, sepse i trembet ndryshimit. Ai kërkon të mbajë të vjetrit në lojë, me rotacion të korrupsionit.”
Shehaj deklaroi se Partia Mundësia është aktualisht e treta në nivel kombëtar dhe ambicja e saj është të bëhet forca e parë politike në vend: “Ky është vetëm fillimi. Ne do të jemi partia e parë. Dhe kur të vijë ajo ditë, Edi Rama nuk do ketë më vend në politikë.”
Partia Mundësia garon për herë të parë në zgjedhjet e 11 majit dhe mban numrin 10 në fletën e votimit.