Aksident i frikshëm në Lushnjë/ ‘Audi’ del nga rruga dhe përfundon i përmbysur në parcelë, 3 të plagosur! Shkak dyshohet shpejtësia dhe prezenca e ujit në rrugë

Lushnje – Një aksident i rëndë ka ndodhur në bypassin e autostradës në Lushnje, ku një automjet tip Audi ka dalë nga rruga dhe përfunduar jashtë saj. Nga aksidenti, tre persona që udhëtonin në automjet kanë mbetur të plagosur. Ata janë transportuar menjëherë në spitalin e Lushnjes dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po dokumenton rrethanat e aksidentit, ndërsa dyshohet se shpejtësia e lartë dhe lagështira në rrugë mund të kenë qenë faktorë që kanë ndikuar në humbjen e kontrollit të mjetit. Automjeti ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar dhjetëra metra më tej në një parcelë, ku është rrotulluar disa herë për të përfunduar i përmbysur.
Pika e aksidentit ndodhi në një pjesë të autostradës që ka qenë historikisht një zonë me aksidente të shpeshta, për shkak të prezencës së ujit në rrugë, megjithëse janë ndërmarrë masa përforcuese, si barrierat anësore të hekurta. Aksidentet e tilla theksojnë nevojën për përmirësime të mëtejshme në infrastrukturën e rrugës dhe kontrollin e shpejtësisë.