Aksident i rëndë në Buronjë: Automjeti bie nga ura, plagoset drejtuesi – banorët të revoltuar për gjendjen e rrugës

Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në fshatin Buronjë, pranë Stjarit, në aksin rrugor Sarandë–Delvinë. Një automjet ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga ura, duke lënë të plagosur rëndë drejtuesin e mjetit, një burrë rreth të 60-ave, i cili ndodhej i vetëm në makinë.
Sipas informacioneve paraprake, i plagosuri është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Sarandës, ndërsa gjendja e tij shëndetësore mbetet ende e paqartë.
Shkak i mundshëm për aksidentin dyshohet të jetë gjendja e rënduar e segmentit rrugor, ku prej kohësh kanë nisur punime të cilat janë lënë përgjysmë. Zona ku ndodhi aksidenti është një kthesë e fortë, e pasigurt për shkak të mungesës së sinjalistikës dhe ndërhyrjeve të papërfunduara.
Banorët e zonës shprehen të revoltuar për mungesën e përgjegjësisë nga autoritetet dhe kërkojnë përfundimin urgjent të rrugës, duke paralajmëruar se çdo ditë udhëtarët janë të rrezikuar dhe tragjeditë mund të përsëriten nëse nuk merren masa të menjëhershme.