Aksident në aksin Berat–Lushnjë, autobusi me turistë përplaset me BMW-në, disa të lënduar
Një aksident rrugor është regjistruar në aksin nacional Berat–Lushnjë, pranë fshatit Barbullinjë, ku një autobus i linjës Berat–Tiranë, me shumicën e udhëtarëve turistë të huaj, është përplasur me një automjet tip BMW.
Përplasja ka qenë e fortë, duke shkaktuar lëndime të lehta te disa prej udhëtarëve të autobusit. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit BMW është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se automjeti BMW i ka prerë rrugën autobusit. Drejtuesi i autobusit ka frenuar për të shmangur përplasjen, por nuk ka arritur ta parandalojë atë. Si pasojë e goditjes, autovetura ka përfunduar në murin mbrojtës të një biznesi pranë rrugës.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po kryejnë veprimet hetimore për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Pas ngjarjes, udhëtarët e autobusit, kryesisht turistë të huaj, kanë mbetur në pritje të mbërritjes së një autobusi tjetër, që do t’i transportojë drejt destinacionit të tyre.
Hetimet për aksidentin vijojnë.




