Aksident në aksin “Tri Ura” në Lushnje, automjeti përplaset me një kalë

Një aksident rrugor është regjistruar në aksin nacional “Tri Ura” në Lushnje, ku një automjet tip BMW është përplasur me një kalë që i ka dalë papritur përpara.
Sipas informacioneve paraprake, përplasja ka qenë e pashmangshme, pasi ngjarja ka ndodhur në kushte errësire dhe drejtuesi i mjetit nuk ka pasur mundësi të manovrojë në kohë.
Si pasojë e aksidentit, bashkëshortja e drejtuesit të automjetit ka mbetur e lënduar dhe është transportuar menjëherë në spital, ku po merr trajtim mjekësor. Fatmirësisht, ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Nga përplasja, kafsha ka ngordhur.
Ky segment rrugor, që lidh Lushnjen me autostradën drejt zonës së Grabjanit dhe Çermës, konsiderohet tepër i rrezikshëm, veçanërisht gjatë natës, për shkak të ndriçimit të dobët dhe prezencës së kafshëve në rrugë.




