Aksident në autostradën Lushnje–Fier, disa të lënduar lehtë
Një aksident rrugor me disa persona të lënduar ka ndodhur ditën e sotme në autostradën Lushnje–Fier, në afërsi të zonës së njohur si “Pushimi i Shoferit”, si pasojë e një parakalimi të gabuar.
Sipas informacioneve nga Policia e Qarkullimit Rrugor, dy automjete që po lëviznin në drejtim të Fierit janë fërkuar me njëri-tjetrin gjatë tentativës për parakalim. Për pasojë, një fuoristradë tip Volvo ka përfunduar e bllokuar në mes të barrierave ndarëse të kaheve të lëvizjes.
Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e policisë kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë dokumentuar aksidentin dhe kanë marrë masa për disiplinimin e trafikut, i cili u rëndua për disa minuta. Në ndihmë të të aksidentuarve kanë mbërritur edhe dy autoambulanca.
Fatmirësisht, sipas burimeve zyrtare, personat e përfshirë në aksident nuk kanë pësuar lëndime serioze dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia apelon për më shumë kujdes në autostrada, respektim të rregullave të qarkullimit dhe shmangie të parakalimeve të rrezikshme, për të parandaluar aksidente të ngjashme.




