Aksident në unazën e Fierit, furgoni përplas biçikletën pranë shkollës Murialdo, plagoset drejtuesi
Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm në unazën e qytetit të Fierit, pranë shkollës Murialdo. Një furgon është përplasur me një biçikletë, duke lënë të lënduar drejtuesin e kësaj të fundit.
Sipas informacioneve paraprake, pas përplasjes, drejtuesi i biçikletës ka pësuar dëmtime dhe është transportuar drejt Spitalit Rajonal Fier, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Ende nuk ka informacion të detajuar mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Aksidenti ka ndodhur në një prej akseve rrugore të qytetit, ndërsa rrethanat në të cilat është regjistruar përplasja mbeten ende të paqarta.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat po kryejnë veprimet përkatëse për dokumentimin e aksidentit dhe zbardhjen e shkaqeve të tij.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes.




