
Një aksident i rëndë me pasoja fatale ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës në Gjermani, ku një minibus me nëntë persona është përmbysur disa herë pas daljes nga rruga në zonën e Bassenheim, në distriktin Mayen-Koblenz, në autostradën A48 drejt Trier-it.
Sipas autoriteteve gjermane, mjeti po kthehej nga një festë familjare në landin e Hessen-it dhe në bord ndodheshin nëntë persona. Aksidenti ndodhi rreth orës 03:05 të mëngjesit dhe, fatkeqësisht, tre persona humbën jetën në vendngjarje: një burrë 53-vjeçar dhe dy gra të moshave 47 dhe 65 vjeç.
Burime zyrtare kanë konfirmuar se tre viktimat janë shtetas shqiptarë. Gjashtë personat e tjerë të ndodhur në automjet janë plagosur, por nuk janë në rrezik për jetën. Ata janë të moshave nga 20 deri në 66 vjeç.
Policia ka sqaruar se drejtuesi i mjetit, një 22-vjeçar, nuk rezulton të ketë qenë nën ndikimin e alkoolit apo substancave narkotike, të paktën sipas testeve paraprake deri në mesditën e së dielës. Nuk ka pasur automjete të tjera të përfshira në aksident, por një tjetër automjet që kaloi pak më pas mbi mbetjet në rrugë u dëmtua dhe u desh të tërhiqej.
Autoritetet i kanë bërë thirrje publikut të mos spekulojnë mbi shkaqet e aksidentit, ndërkohë që hetimet janë ende në zhvillim.
Për shkak të aksidentit, autostrada A48 u mbyll për më shumë se katër orë ndërmjet nyjeve Koblenz dhe Ochtendung, ndërsa trafiku u devijua në A61. Në vendngjarje ndodheshin mbi dhjetë mjete të emergjencës, disa patrulla policie, zjarrfikësit dhe ekipe të kujdesit psikosocial.
Policia e Koblenzit e cilësoi ngjarjen si “një aksident shumë, shumë të tmerrshëm”. Emrat e viktimave nuk janë bërë ende publikë.