Aksident tragjik në rrugën Vlorë–Fier, humb jetën 19-vjeçari

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pasditen e së dielës në rrugën nacionale Vlorë–Fier, pranë një karburanti, ku një motomjet tip Piaggio me targa AK653 ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga.
Motomjeti është përplasur fillimisht me një shtyllë elektrike, e më pas me një shtyllë druri, duke shkaktuar dëmtime të rënda tek personat që ndodheshin në të.
Si pasojë e përplasjes së fortë, ka ndërruar jetë Luan Llano, 19 vjeç, ndërsa një tjetër i ri është plagosur.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
Vlorë/Informacion paraprak
Sot, rreth orës 13:40, në rrugën “Demokracia”, pranë vendit të quajtur “Pusi i Mezinit”, dy shtetas, duke udhëtuar me një motomjet, dyshohet se kanë humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe si pasojë motomjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një shtyllë elektrike.
Si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë shtetasi L. Ll., 19 vjeç, ndërkohë që shtetasi T. M. është dërguar në spital për ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit, si dhe për përcaktimin e shtetasit që ishte në drejtim të motomjetit.