Aksidenti fatal i mori jetën 2 turistëve italianë/ Pezullohet Shefi i Seksionit të Policisë Rrugore dhe ngrihet një grup i posaçëm për rastin
Një aksident i rëndë është regjistruar sot në aksin Sarandë-Ksamil ku kanë humbur jetën 2 turistët italianë Gritto Domenico dhe Vicenzo Tizziano. Sipas burimeve një motor është përplasur me një makinë duke sjell edhe bilancin e rëndë.
Drejtoria e Përgjithshme ka njoftuar se për këtë rast është pezulluar menjëherë nga detyra Shefi i Seksionit të Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Sarandë, Nënkomisar A. Sh.
Aksidenti u shënua rreth orës 03:00 të ditës së sotme, 24 gusht 2023, në aksin rrugor Sarandë-Ksamil, në vendin e quajtur “Hidrovor”.
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se Benzi lëvizte nga Saranda drejt Ksamilit, por është gjetur në kahun e kundërt, çka dyshohet se i ka prerë rrugën motorin tip ‘Honda’.
Ndërsa 17-vjeçari që drejtonte makinën dhe shoku i tij 16 vjeç kanë marrë plagë të lehta dhe po mjekohen në spitalin e Sarandës.
Njoftimi i Policisë: Reagim i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për aksidentin e ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në aksin rrugor “Sarandë –Ksamil”.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar ngritjen e një grupi të posaçëm, me specialistë nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti për Sigurinë Publike (Drejtoria e Policisë Rrugore) në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për të analizuar rastin, për të nxjerrë përgjegjësitë në lidhje me shkakun e ndodhjes së këtij aksidenti, si dhe për menaxhimin në tërësi të qarkullimit rrugor në territorin e bashkisë Sarandë.
Ndërkohë, është pezulluar menjëherë nga detyra Shefi i Seksionit të Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Sarandë, Nënkomisar A. Sh. Pezullimi i tij u bë në zbatim të nenit 209, të Rregullores së Policisë së Shtetit, për shkelje të rëndë të atributeve/kompetencave të Policisë, në lidhje me pasojat e aksidentit të ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në aksin rrugor “Sarandë –Ksamil”, ku humbën jetën 2 turistë italianë, konkretisht shtetasit D. D., 24 vjeç dhe V. T., 32 vjeç.
Gjithashtu, ka nisur menjëherë hetimi administrativo-disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Sektorit të Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, për mospërmbushje të procedurave standarde të punës, në lidhje me marrjen e masave për parandalimin e aksidenteve rrugore, gjatë sezonit turistik.
Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht, 24/7, në të gjithë territorin e vendit, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, si dhe për të parandaluar aksidentet rrugore. Në këtë kuadër fton qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe çdo paligjshmëri në tërësi, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe profesional.