Aksidenti i rëndë në Pogradec-Lin/ Policia: Viktima, një 26 vjeçare shqiptare banuese në Maqedoninë e Veriut

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur rreth orës 11:30 në aksin “Pogradec–Qafë Thanë”, ku janë përplasur dy automjete, njëri prej tyre me targa të huaja.
Sipas informacionit paraprak, automjeti i drejtuar nga një banor i Korçës është përplasur me një automjet me targa të Maqedonisë së Veriut.
Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën 26-vjeçarja Elmedina Llogo, banuese në Maqedoninë e Veriut, e cila udhëtonte si pasagjere në automjetin me targa të huaja.
Nga aksidenti janë dëmtuar gjithashtu të dy drejtuesit e mjeteve dhe dy pasagjerë të tjerë që ndodheshin në automjetet e përfshira në përplasje.
Katër të plagosurit janë transportuar në spital, ku po marrin ndihmë mjekësore. Sipas burimeve zyrtare, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.




