Aksidenti ku ndërruan jetë dy italianët në Sarandë, arrestohet 17-vjeçari
Policia e Sarandës ka vënë në pranga adoleshentin, i cili u përfshi në aksidentin e ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjtje në Sarandë ku si pasojë humbën jetën dy turistë italianë.
Sipas policisë është vënë në pranga 17 vjeçari pasi akuzohet për dy vepra penale, “shkelje e rregullave te qarkullimit rrugor” me pasoje vdekjen e disa personave sipas nenit 290/4 dhe “drejtim i automjeteve ne menyre te parregullt” sipas nenit 291.
Ndërkaq kujtojmë se aksidenti ka ndodhur në aksin rrugor “Sarandë –Ksamil”, ku si pasojë kanë humbur jetën Gritto Domenico 24 vjeç dhe Vicenzo Tizziano 32 vjeç.
Gjithashtu në kuadër të zbardhjes së plotë të ngjarjes, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar ngritjen e një grupi të posaçëm, me specialistë nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti për Sigurinë Publike (Drejtoria e Policisë Rrugore) në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për të analizuar rastin, për të nxjerrë përgjegjësitë në lidhje me shkakun e ndodhjes së këtij aksidenti, si dhe për menaxhimin në tërësi të qarkullimit rrugor në territorin e bashkisë Sarandë.