Aksidenti me vdekje në Lushnjë, Braçe: Të jesh deputet është kot! Kam dy vite që lus të tjerë dhe nuk bëjnë asgjë, numëroj të vdekurit e s’i ngushëlloj dot
Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar në rrjetet e tij sociale pas një aksidenti të rëndë të ndodhur në Lushnjë, ku për pasojë humbi jetën një 29-vjeçar.
Braçe thotë se në këtë segment rrugor, nga Krujtja në Zhymë ndodhin shpesh aksidente me vdekje, dhe për këtë fakt “ka dy vite që flas dhe lutem”, thotë ai, por nuk është marrë asnjë masë.
Postimi i plotë i Erion Braçes
“Kjo është dita dhe rasti, kur të qenit deputet është plotësisht kooot, tërësisht i padobishëm. Është një copë rrugë nga Krutja në Zhymë dhe në “Pushimin e Shoferit”. Ka vdekur një djalë i ri dje, përsëri!
Në të njëjtin vend, në të njëjtën kthesë që vret njerëz; Në të njëjtin vend për të cilin kam dy vite që flas, bërtas, lutem e lus drejtorë, menaxherë, kompani, administratorë, kontraktorë, të gjithë me radhë i lut deputeti;
Dy vite kanë bërë asgjë, zero! Dhe deputeti që vë fytyrën e tij atje thjesht numëron të vdekurit dhe i vjen turp edhe të ngushëllojë! Nuk di, por nëse të gjithë këta bëjnë asgjë, për çfarë duhen, për çfarë”, shkruan deputeti socialist.