Aksidentoi për vdekje dy turistët italianë në Sarandë, lihet në burg 17-vjeçari Elio Rraku
Zhvillohet në ambientet e spitalit seanca për caktimin e masës së sigurimit ndaj 17 vjeçarit Elio Rraku, i dyshuar si shkaktar i aksidentit automobilistik ku humben jetën dy turistë italianë në Sarandë.
Shkak për zhvillimin e seancës në spital është bërë fakti se i mituri vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve. Prokurorja e çështjes Esmeranda Basho kërkoi caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për veprat penale “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose plagosja e rëndë e disa personave dhe “drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Avokati i të miturit, Çlirim Shahini, kërkoi një masë më të lehtë sigurimi me argumentin se Rraku është i mitur, student dhe i traumatizuar si dhe për të qenë më afër familjes për shkak të gjendjes psikologjike.
Në përfundim të seancës Gjyqtarja Suela Xhani vendosi masën e sigurimit “Arrest në burg” deri në përfundim të hetimeve.