Aksion “blic” në Roskovec, Fier – Policia sekuestron arsenal armësh dhe drogë, një person në pranga

Një aksion i befasishëm i Policisë është zhvilluar pasditen e sotme në fshatin Suk, në bashkinë Roskovec, qarku Fier.
Gjatë kontrollit në banesën dhe biznesin në pronësi të shtetasit Adiol Hada, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një arsenal armësh, konkretisht dy armë zjarri automatike (kallashnikovë), dy pistoleta dhe dy granata.
Ndërkohë, nga kontrolli i ushtruar në lokalin e tij, është zbuluar dhe sekuestruar edhe një sasi lënde narkotike.
Si rezultat i operacionit, Adiol Hada është arrestuar, ndërsa materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore. Burime policore bëjnë me dije se po hetohet mundësia që i arrestuari të ketë lidhje me grupe kriminale.
Për detaje të tjera dhe informacion zyrtar, pritet një njoftim nga Policia e Shtetit.




