Akti heroik/ Theu masën e arrestit në shtëpi duke ju përgjigjur “mosbindjes civile” të Berishës, gjykata e mbyll në burg!
Gjykata e Tiranës ka dërguar në burg protestuesin, Sokol Bushkolaj, të arrestuar pas protestës së 7 tetorit.
Prokuroria kërkoi arrest në burg me arsyetimin se protestuesi kishte thyer edhe masën e sigurisë arrest shtëpie, lidhur me një vendim të mëparshëm të gjykatës.
Të njëjtën gjë në zbatim të thirrjes së Berishës për “mosbindje civile“, shumë demokratë prisnin ta bënte edhe Berisha duke dalë nga shtëpia natën e protestës. Thirrjet nga mbështetësit e tij për të bërë aktin e “mosbindjes” ndaj arrestit në shtëpi të dhënë nga një gjykatë e kapur, politike dhe kriminale (Sipas Berishës), madje kanë qenë edhe publike, por nuk dihet se përse kreu i PD nuk e aplikon edhe vetë, ndërkohë që e kërkon nga demokratët dhe shqiptarët.
Bushkolaj akuzohet për largim nga vendi i qëndrimit, për goditje për shkak të detyrës dhe shkatërrim prone me zjarr. Gjithsesi me aktin e tij heroik duke mos ju bindur një vendimi gjykate, i riu ndoshta është i vetmi deri tani që po kryen aktin tipik të “mosbindjes civile”.
Ditën e enjte u lanë në arrest shtëpie me kërkesë të prokurorisë dy protestuesit e tjerë Xhevahir Rrushi dhe Gentian Tuga.