AKUZA E RËNDË E AVOKATIT IDAJET BEQIRI: “Partia e Adriatik Lapajt ka marrë 3 milionë euro nga Shkëlzen Berisha”

Tiranë – Avokati i njohur Idajet Beqiri ka hedhur një akuzë të fortë ndaj liderit të Lëvizjes NE, Adriatik Lapaj, duke deklaruar se ky i fundit është financuar me 3 milionë euro nga Shkëlzen Berisha, me urdhër të Sali Berishës.
Në një prononcim për televizionin ABC News, Beqiri u shpreh se qëllimi i Lapajt është të marrë një numër të vogël deputetësh në Kuvend për t’u bërë mbështetje politike për Sali Berishën, duke shtuar se retorika e Lapajt për zgjedhje të parakohshme i shërben vetëm interesave të liderit historik të PD-së.
“Adriatik Lapaj nuk ka fonde. 3 milionë euro Shkëlzen Berisha, me urdhër të babait të tij, ia ka destinuar Lapajt, që të jetë mbështetja kryesore për Berishën,” tha Beqiri.
Ai shtoi se SPAK duhet të hetojë këtë çështje me të njëjtën vendosmëri sikurse hetimet për fondet e dyshuara prej 6 milionë dollarësh në SHBA: “Le të marrin edhe këtë çështje dhe le ta trajtojnë,” deklaroi ai.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga Adriatik Lapaj apo Shkëlzen Berisha lidhur me këtë akuzë.