Akuzohen se kanë shitur diploma false! Arrestohen 9 persona në Itali, mes tyre një pronar universiteti që operon në Shqipëri
Mediat italiane kanë publikuar hetimet e Guardia di Finanza e cila ka zbuluar se nga Tirana janë shitur me mijëra diploma false për shtetas italian.
Sipas asaj që shkruajnë mediet në vendin fqinj, pjesë e skemës është dhe një zyrtar, që dyshohet se ka favorizuar italianët të ndërtonin skemën e tyre të mashtrimit nëpërmjet, Kolegjit Universitar WISDOM.
Ky institucion, që në vendin tonë vepronte si institucion i arsimit të lartë, dyshohet se shpërndante diploma dhe certifikata false për qytetarët italianë, që synonin që të futeshin në administratë. Këta shtetas, paguanin nga 8 mijë euro për letra false.
Të arrestuarit janë: Maria Saveria Modaffari, 38 vjeçe, Fortunata Giada Modaffari, 33 vjeçe, Maria Attisano, 57 vjeçe, Lucia Catalano, 44 vjeçe, Savino Cianci, 60 vjeç, Leonardo Catalano, 42 vjeç, Marco Lombardi, 52 vjeç, Antonio Caporale, 33 vjeç dhe Maria ‘Mdaraa, 36 vjeçe. Cianci është pronar i Wisdom University.
Në një reagim për mediet, avokatja e tyre e përbashkët ka thënë se: “Tashmë kemi shpjeguar qëndrimin tonë për shumicën e akuzave para organeve të tjera gjyqësore. Këto ditë që na ndajnë nga marrja në pyetje do të mbledhim të gjithë dokumentacionin që kemi për të sqaruar aspektet e mbetura të historisë. Kemi besim të madh te organi gjyqësor procedues”.
Savino Cianci, gruaja e tij Lucia Catalano, Maria Saveria Modaffari, Giada Fortunata Modaffari, Maria Ornella Attisano, Leonardo Catalano, Marco Lombardi, Antonio Caporale dhe Maria M’Daraa përfunduan në burg . Përveç tyre, janë rreth tridhjetë të dyshuar. Shoqata kriminale kishte futur në xhep mesatarisht 8 mijë euro për çdo diplomë apo vërtetim tjetër fals që u jepeshin studentëve të paditur.
Kualifikimet ishin të ndryshme: mësimdhënie mbështetëse, diplomë në kriminologji, diplomë hotelerie dhe specializime të tjera. Çifti Cianci-Catalano madje i dhanë ryshfet një zyrtari të qeverisë shqiptare. Në shkresat e gjyqtarit hetues lexojmë se të dy i kanë dhuruar një çantë Louis Vuitton me vlerë 1200 euro.