Akuzohet se i theu këmbën 3-vjeçares, arrestohet edukatorja e kopshtit “Stinët”
Edukatorja e kopshtit “Stinët”, Majlinda Dehima, ka rënë në prangat e Policisë së Tiranës pasditen e kësaj të enjte. Arrestimi i saj u bë pas kërkesës së Prokurorisë për masën “arrest me burg” për veprën penale “keqtrajtim i të miturit”.
Dehima akuzohet se dhunoi 3-vjeçaren në kopshtin privat, duke i thyer asaj edhe këmbën. Emisioni investigativ “Stop” publikoi dy ditë më parë pamjet e tmerrshme ku 3-vjeçarja shihej teksa dhunohej në kopshtin privat në Tiranë “Stinët” nga edukatorja. Edukatorja Majlinda Dehima shfaqeh teksa dhunonte të miturën derisa e vogla përfundoi me këmbë të thyer në Spitalin e Traumës.
Lidhur me këtë ngjarje reagoi edhe Ministria e Arsimit të cilët pas verifikimeve të bëra rezultoi se kopshti “Stinët” ishte i palicensuar. Si rjedhojë u bë i mundur edhe mbyllja e këtij kopshti ku dhe ndodhi ngjarja.
Jo më larg se mbrëmjen e djeshme një tjetër video u publikua nga emisioni investigativ “STOP”. Nga pamjet e kapura nga kamerat e sigurisë në dhomën e fjetjes së kopshtit u pa qartë sesi vajza dhunohet nga edukatorja deri në thyerjen e këmbës. Në materialin filmik dëgjohet zhurma e thyerjes, qarja e vajzës dhe të sharat e edukatores ndaj të miturës, ku nuk kursehet aspak, deri në përdorimin e fjalëve si “sharabajgë”.