Albpetrol përkujton Dhori Petro Tanakën, heroi që humbi jetën në krye të detyrës

Patos – Në një ceremoni të veçantë përkujtimore, sot në Qendrën e Emergjencave të Naftës dhe Gazit në Patos, Albpetrol nderoi kujtimin e Dhori Petro Tanakës, punonjësit 42-vjeçar që humbi jetën në krye të detyrës gjatë një aksidenti tragjik në depot e naftës në Kuçovë në gusht të vitit 1995.
Ngjarja e dhimbshme, që tronditi komunitetin e naftës dhe gazit, shënon një moment reflektimi mbi rrezikun dhe sakrificën që punonjësit e sektorit përballojnë çdo ditë për sigurimin dhe mirëfunksionimin e industrisë së energjisë në vend.
Gjatë ceremonisë, kolegët e Dhori Tanakës shprehën respektin dhe mirënjohjen e tyre për përkushtimin dhe guximin që ai tregoi gjatë përballjes me zjarrin. Familjarët e tij, të pranishëm në këtë ngjarje, falënderuan institucionin dhe stafin e Albpetrol për nderimin dhe kujdesin e treguar ndaj kujtimit të të afërmit të tyre.

“Dhori Petro Tanaka ishte një shembull i guximit dhe përkushtimit profesional. Kujtimi i tij është një inspirim për të gjithë ne që vijojmë punën në sektorin e naftës dhe gazit”, deklaruan përfaqësuesit e Albpetrol.
Ceremonia përkujtimore shërbeu si një mesazh për rëndësinë e respektit dhe vlerësimit të punonjësve që kanë dhënë jetën për detyrën dhe për të mirën e komunitetit, duke theksuar se sakrifica e tyre nuk do të harrohet kurrë.
Albpetrol kujton me nder dhe respekt të gjithë ata që janë dëshmorë të detyrës, duke përfshirë Dhori Petro Tanakën, një shembull i guximit dhe përkushtimit në shërbim të të tjerëve.
B.R / FIERIWEB.COM




