Antoneta Dhima: Le ta promovojmë Fierin, jo ta njollosim me lajme të rreme

Fier, 16 Korrik 2025 – Deputetja e Qarkut Fier, znj. Antoneta Dhima, ka reaguar sot nga terreni pas disa raportimeve të pasakta në media që pretendonin për ndotje me naftë në zonën e Pishporos, pranë grykëderdhjes së lumit Vjosë. Reagimi i saj erdhi përmes një tjetër videoje dhe postimi të detajuar, ku shpjegoi se ajo që u interpretua si ndotje është në fakt një fenomen natyror: ligatina të errëta të krijuara nga mungesa e reshjeve dhe tërheqja e detit.
E shoqëruar nga Drejtori i Zonave të Mbrojtura të Qarkut Fier, z. Fotjon Prençe, Dhima sqaroi nga afër situatën reale në këtë peizazh të mbrojtur, duke hedhur poshtë çdo aludim për ndotje industriale apo derdhje nafte.
“Pamjet që janë interpretuar si ndotje, janë thjesht pjesë e ligatinave që gjatë verës marrin pigment të errët për shkak të kripës dhe mungesës së oksigjenit. Është një dukuri e njohur dhe e dokumentuar çdo vit në këtë zonë të mbrojtur,” – shpjegoi drejtori Prençe.
Antoneta Dhima, e cila njihet si një nga deputetet më aktive të Fierit për sa i përket promovimit të turizmit dhe pasurive natyrore përmes videove dhe vizitave në terren, u shpreh se përhapja e lajmeve të rreme dëmton jo vetëm imazhin e zonës, por edhe përpjekjet dashakeqe për te dëmtuar turizmin.
“Pishporo dhe Darëzeza janë thesare natyrore që duhet t’i promovojmë dhe t’i mbrojmë me kujdes. Ligatinat, edhe kur janë bosh, tregojnë bukurinë e natyrës sonë të virgjër. Ato nuk janë ndotje, por pjesë e një procesi natyror që duhet kuptuar, jo keqinterpretuar.”
Deputetja theksoi nevojën për edukim mjedisor dhe informim të saktë nga ana e mediave, sidomos kur bëhet fjalë për zona të ndjeshme ekologjikisht.
Postimi i plotë:
Sot e nisa ditën në një prej zonave më atraktive të bregdetit të Pishporos së Fierit, në kufi me grykëderdhjen e Vjosës, e shoqëruar në këtë udhëtim nga Drejtuesi i Zonave të Mbrojtura të Qarkut Fier, zoti Fotjon Prençe, me të cilin pamë nga afër peizazhin e mbrojtur natyror. 🖼️
Pas një vije bregdetare të gjatë dhe shumë mbresëlënëse të Darzezë – Pishporo, ku deti shquhet për pastërtinë e ujërave të tij të kristalta, shkuam pranë zonës ligatinore.
Temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve prej një kohe të gjatë kanë bërë që ligatinat të thahen, duke sjellë largimin e hershëm të flamingove që zbukuronin këtë bregdet. Largësia e konsiderueshme nga Vjosa dhe deti, e bëjnë të pamundur rimbushjen e tyre në këto kohëra. Në ligatinën më të madhe të kësaj zone, ato që vazhdojnë t’i rezitojnë thatësirës dhe ujërave të cekëta janë pulëbardhat, të cilat i pamë mbi ligatinë dhe buzë bregdetit.
Drejtori i ADZM -së së Qarkut Fier, zoti Prençi, me shpjegon qartësisht rreth fenomentit të tharjes së ligatinave, një fenomen, që këto ditë ka zënë vëmendjen e disa prej mediave në vend. Sipas Tij: “Në këto kushte të tharjes së ligatinave për shkak të temperaturave të larta, ngjyra që arrijnë të marrin ato është tipike e bimësisë që ato kanë dhe vjen si pasojë e mos oksigjenimit të ligatinës, mos furnizimit me ujë të freskët. Dhe kjo çon në marrjen e atij pigmenti me ngjyrë kafe të errët. Këtë e shton edhe përqindja e kripshmërisë e cila është shumë e lartë që së bashku me bimësinë tipike të tyre e përforcojnë pigmentin e ligatinës.”
Pasi prekën gjithë zonën ligatinore, u larguam nga bregdeti i Pishporos, duke marrë me vete pamjet mbresëlënëse të këtij bregdeti, tërësisht të virgjër, që pa diskutim, ka nevojë për shumë vëmendje.Në këtë zonë kaq të virgjër të Fierit, natyra na ka falur një pjesë të asaj bukurie që shpalos Shqipëria sot. E bukur në çdo moment të saj: edhe kur ligatinat janë mbushur me flamingo dhe kur ligatinat e boshatisura zbulojnë një pjesë të natyrës së virgjër të tyre, që të kundërmojnë era bregdet.
Ajo që na mbetet të bëjmë është: ta promovojmë vendlindjen dhe Shqipërinë me dashuri, ta ruajmë mjedisin nga ndotjet njerëzore dhe të shijojmë bukuritë e saj.🩵

/FIERIWEB.COM




