Antonov në Kosovë: Çfarë dihet për fluturimin e avionit të madh transportues

Mbërritja e një avioni të tipit Antonov An-124 në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, më 6 maj, nxiti kureshtjen e shumëkujt në Kosovë.
Por, arsyeja e fluturimit drejt Kosovës të njërit prej aeroplanëve më të mëdhenj në botë për transportin e mallrave, përfshirë ato ushtarake, mbetet ende e panjohur.
Radio Evropa e Lirë (REL) ka kërkuar të enjten informacione nga Aeroporti i Prishtinës në lidhje me ardhjen e fluturakes së madhe të prodhimit ukrainas, por nuk ka marrë përgjigje.
Fluturimi i aeroplanit me regjistrimin UR-82008 nuk ka figuruar as në regjistrat e fluturimeve komerciale online.
Ministria e Mbrojtjes në Kosovë ka thënë se nuk ka informacione zyrtare lidhur me këtë fluturim.
Fotografi i njohur kosovar, Arian Mavriqi, e ka fotografuar dhe e ka xhiruar uljen e djeshme të aeroplanit gjigant, i cili në Kosovë është parë edhe në të kaluarën.
Edhe entuziastë të aviacionit, vendës e të huaj, po ashtu kanë publikuar fotografi e video të uljes së Antonov An-124 në aeroportin që ndodhet 17 kilometra larg kryeqytetit kosovar, duke aluduar se aeroplani është nisur nga një bazë ajrore në Gjermani.
Sipas tyre, ai mund të ketë sjellë pajisje ushtarake për misionin paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR.




