Apolonia gradon dy trajnerë, skuadra ka pasur shumë ulje–ngritje deri tani

Rudin Nako dhe Nuredin Orelesi pritet të drejtojnë përkohësisht Apoloninë, pas largimit të papritur të trajnerit Sedat Pajaziti. Dy të parët janë pjesë e stafit teknik dhe trajnerë në akademinë fierake.apoloniaKampionati ka hyrë tashmë në fazën më të nxehtë, kur vendosen përfundimisht edhe fatet e çdo skuadre. Përjashtim nuk bën as Apolonia. Me fitoren e arritur ndaj Valbonës me rezultatin 2-1, fierakët i janë afruar me vetëm 3 pikë Pogradecit e Lushnjës, që janë më të afërtat për zonën “play off” dhe pesë javë nga fundi janë plotësisht në lojë për të shpresuar për një vend në gjashtëshe.
Përgjatë dy fazave e gjysmë, Apolonia ka pasur shumë ulje–ngritje, kështu që fierakëve do t’u duhet të mos përsërisin veten për të qenë konkurrues. Në të kundërt, vendi i sigurt në “play off”, si mundësia e dytë për t’u ngjitur në elitë, do të mbetet thjesht dhe vetëm një dëshirë. Apolonia nuk ka ditur t’u marrë maksimumin e mundshëm lojtarëve të fazës ofensive. Sulmuesit që kanë ardhur enkas këtë merkato për të bërë golat, nuk kanë pasur pritshmërinë e duhur të paktën sa u përket rrjetave të realizuara. Për të arritur te vendi i pestë ose i gjashtë, Apolonia ka nevojë për ata, që ndryshe në Fier njihen si “tredhëmbëshi” më i mirë i sulmit, Trifoni, Maksuti dhe Umejiego.
Së bashku, ata kanë shënuar 26 gola në total, dhjetë Maksuti, nëntë Trifoni dhe shtatë Umejiego. Fierakët duhet të gabojnë sa më pak në pesë javët e mbetura. Të paktën në dy ndeshjet e para që shihen si tepër vendimtare. Në letër janë kundërshtarë që kanë një bilanc pozitiv dhe që luajnë për “play out”.
Të mërkurën do të përballen në transfertë me Kukësin dhe më pas, do të presin në shtëpi Korabin, përballë të cilit ka siguruar dy fitore. Megjithatë, është edhe risku i hapave fals, që do ta përmbyste tërësisht situatën dhe objektivat sezonalë të fierakëve. Për momentin, shpresohet të kalohet me sukses sfida me kuksianët dhe më pas të shihet për vazhdimësinë.
HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL