Arrestime dhe procedime penale në Fier dhe Mallakastër: Dhunë në familje dhe drejtim mjeti në gjendje të dehur

Fier – Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka bërë me dije se janë kryer disa arrestime dhe procedime penale gjatë 24 orëve të fundit, në kuadër të goditjes së paligjshmërive në territorin e saj.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër arrestuan në flagrancë shtetasin E. I., 36 vjeç, banues në fshatin Panahor, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.
Ndërkohë, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit:
- V. D., 30 vjeç, banues në Lushnjë;
- I. H., 49 vjeç, banues në Fier;
- T. K., banues në Lushnjë;
të cilët u kapën duke drejtuar automjetet në gjendje të dehur.
Gjithashtu, është referuar materiali në Prokurori dhe është nisur procedimi penal ndaj një 16-vjeçari nga fshati Kolonjë, i cili duke drejtuar një automjet, ka përplasur një këmbësor, shtetasin B. H., 84 vjeç. Ky i fundit, pas marrjes së ndihmës mjekësore në spital, është larguar në banesë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme hetimore.