Arrestohen 4 persona pas vrasjes së dyfishtë në Roskovec, sekuestrohen armë dhe automjete
Ka shkuar në katër numri i të arrestuarve në lidhje me vrasjen e dy vëllezërve Gramoz dhe Lavdimir Kurtaj në fshatin Kurjan të Roskovecit. Në pranga kanë rënë dhe dy djemtë e autorit Altin Kuka, Ervis Kuka 21 vjeç dhe Emaurisio Kuka, 18 vjeç, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer vrasjen.
Gjithashtu është arrestuar edhe Tomor Zyka, 67 vjeç, për përkrahje të autorit të krimit. Nën hetim është vënë për shkak të moshës babai i 49 vjeçarit Altin Kuka për veprat “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje i armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu, 4 krehra, municion luftarak, 5 automjete dhe 1 motoçikletë.
Njoftim Drejtoria Vendore e Policisë Fier:
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në Roskovec, ku u vranë me armë zjarri 2 shtetas, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasit:
-A. K., 49 vjeç, E. K., 21 vjeç dhe E. K., 18 vjeç (babai dhe 2 djemtë e tij), të tre banues në Fier, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë me armë zjarri automatik, shtetasit L. K., 46 vjeç, dhe G. K., 52 vjeç, për motive të dobëta;
-T. Z., 67 vjeç, banues në fshatin Çukalat, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302 i K. Penal.
Gjithashtu, u refruan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shkak të moshës, për shtetasin Y. K., 79 vjeç, banues në fshatin Kurjan (babai i shtetasit A. K.), për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje i armëve të gjuetisë dhe sportive”, parashikuar nga nenet 278 dhe 280 i K. Penal.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu, 4 krehra, municion luftarak, 5 automjete dhe 1 motoçikletë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.