Policia e Tiranës ka reaguar pas arrestimit të ish-anëtarit të UÇK-së. Burime zyrtare bënë me dije se Dritan Goxhaj, u arrestua në kryeqytet, me qëllim ekstradimin.
Ndaj tij ishte caktuar masa “Arrest në burg”, ndërsa urdhër-arresti ishte lëshuar nga Gjykata Speciale.
NJOFTIMI I POLICISE
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bënë ekzekutimin e vendimit të datës 20.07.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka vendosur lejimin e kontrollit fizik dhe të banesës së shtetasit D. G., si dhe caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, me qëllim ekstradimi, ndaj shtetasit D. G., 45 vjec, lindur në Fier dhe banues në Tiranë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.