Arrestohet në flagrancë 48-vjeçari në Krujë, qëlloi me armë gjatë ndërhyrjes së Policisë në parcelë narkotike
Krujë – Një operacion policor i koduar “Danger” u finalizua me sukses nga Komisariati i Policisë Krujë, duke çuar në arrestimin në flagrancë të një 48-vjeçari që qëlloi me armë zjarri gjatë ndërhyrjes së Policisë në një parcelë ku kishte kultivuar bimë narkotike.
Shtetasi A. S., banues në Arrameras, u kap në parcelën në Kodër Bubq, ku u gjetën dhe sekuestruan 64 bimë të dyshuara narkotike kanabis. Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, A. S. qëlloi në ajër me armë zjarri pistoletë. Pas arrestimit, Policia kreu një kontroll në banesën e tij, ku u gjetën dhe sekuestruan arma e zjarrit me krehër dhe municion luftarak, një përforcues grushti, një shkop bejzbolli dhe një celular.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme ligjore. Ky operacion është pjesë e masave të përcaktuara në planin operacional “Territor i pastër”, që synon parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike në vend.