Artan Hoxha shpallet “non grata” përgjithmonë në Greqi/ Zbardhet arsyeja pas vendimit të shtetit helen! U mbajt për një orë në komisariat dhe…

Gazetari investigativ Artan Hoxha është shpallur “non grata” nga autoritetet greke, duke u cilësuar “person i padëshirueshëm” dhe i rrezikshëm për rendin publik. Vendimi ndalon hyrjen e tij në territorin e Greqisë për një afat të pacaktuar, praktikisht përjetësisht.
Hoxha po udhëtonte drejt Janinës kur u ndalua nga policia kufitare në Kakavijë. Në sportelin e kontrollit të pasaportave, atij iu komunikua se nuk mund të hynte në Greqi. Pas sekuestrimit të pasaportës, gazetari u mbajt për rreth një orë në komisariat.

Rreth orës 10:30, Hoxhës iu dorëzua vendimi zyrtar ku thuhej se:
- Klasifikohet si person i padëshirueshëm në Greqi;
- Konsiderohet rrezik për rendin publik, sigurinë e brendshme, shëndetin publik, ose raportet ndërkombëtare të një ose disa shteteve të BE-së.
Pas këtij njoftimi, policia greke i vuri kryq vulës së hyrjes në pasaportë dhe e detyroi të largohej menjëherë nga territori grek.
Pasaporta e bllokuar dhe arsyeja e vendimit
Sipas të dhënave që i janë komunikuar gazetarit, masa e “non grata” është marrë që në fillim të vitit 2024, në kulmin e fushatës për zgjedhjet e Parlamentit Europian, kur Fredi Beleri kandidonte për eurodeputet me “Nea Dimokratia”.
Hoxha ka publikuar investigime në Shqipëri dhe Greqi ku ka denoncuar:
- aktivitetin e Belerit,
- përfshirjen e tij në “Masakrën e Peshkëpisë” (1994),
- dhe veprime që, sipas Hoxhës, cenojnë interesat kombëtare shqiptare.
Gazetari është përballur edhe me disa procese gjyqësore në Tiranë gjatë viteve 2023–2024, të lidhura me deklaratat e tij publike për Belerin.
Ky është rasti i radhës ku gazetarë shqiptarë që kanë denoncuar çështje të ndjeshme nxirren “non grata” nga autoritetet greke.





