Atentati mafioz ndaj Irakli Davellës në Athinë! Policia greke arreston dy shqiptarë
Policia greke ka vënë në pranga dy shqiptarë të cilët akuzohen se janë përfshirë në vrasjen e bashkatdhetarit të tyre, Irakli Davella, ngjarje e ndodhur ngjarje e ndodhur më 15 dhjetor 2024, ku mbeti i plagosur miku i viktimës, Edi Lolo.
Sipas informacioneve të para, nga gazeta greke Protothema, të arrestuarit janë të moshës 42 dhe 43 vjeç, të cilët vërshuan plumbat nsaj Davellës teksa ndodheshinbrenda një makine, të cilën e kishin vjedhur para krimit.
Dyshimet qëndrojnë ende se Irakli Davella nuk ishte shënjestra, por miku i tij i cili mbeti i plagosur.
DYSHIME DHE DETAJE
Pasditen e djeshme mediat greke kanë ngritur dyshimin se Davella mund të mos ketë qenë shënjestër e atentatit, pavarësisht të shkuarës së tij që lidhet me krimin. “Policia beson se bëhet fjalë për një pastrim hesapesh, nisur nga e kaluara e 47-vjeçarit, i cili dyshohet se ka lidhje me tre figura të natës, të cilët janë vrarë në luftën e ndezur mes grupeve rivale të mafies greke. Po ashtu, në vitin 2009 kundër viktimës është ngritur lëndë për organizim kriminal, zhvatje dhe të tjera, ndërsa pas kësaj ai dyshohet se nuk i ka angazhuar më autoritetet. ‘Person i interesit’, megjithatë ka qenë edhe njeriu, i cili ka mbetur i plagosur rëndë në kokë dhe bark dhe po lufton për jetën.
I plagosuri kishte ardhur së fundi në vendin tonë (Greqi) nga Dubai, për të cilin hetuesit besojnë se ka luajtur rol në pritën vrasëse. Me fjalë të tjera, ata vlerësojnë se ndoshta ardhja e tij në Greqi ka ndodhur për një arsye specifike dhe ka mobilizuar një grup rival, i cili ka dashur ta largojë nga rruga. Vlen të theksohet se sipas raportimeve, së bashku me 47-vjeçarin që humbi jetën dhe burrin e plagosur, ka qenë edhe një burrë që nuk është prekur nga zjarri”, – shkruan “Protothema”.
AKUZAT NDAJ DAVELLËS
47-vjeçari rezulton të jetë arrestuar në vitin 2009 si pjesë e një grupi prej 10 personash, shumica prej të cilëve pjesëtarë të krimit të organizuar grek, të akuzuar për “organizatë kriminale”, “gjobëvënie” etj.. Në vitin 2011, ai rezultoi pjesë e një hetimi për një grup prej 17 personash të akuzuar nga policia e Korfuzit për “organizatë kriminale” e “falsifikim” e “lëshim çeqesh të këqija”. Dosja e Korfuzit, ka qenë një ngjarje e shumë diskutuar në atë kohë. Shkak ishte një shqiptar nga Saranda, ish i dënuar për trafik narkotikësh, i vendosur në qendër të hetimit. Ai rezultoi të kishte lidhje me oficerë të policisë së Korfuzit, kryetarin e Bashkisë së Korfuzit dhe vëllanë e një ish-ministre dhe deputete greke. Media greke ndërkohë shkruan se ka dyshime nga policia greke, që edhe pse Davella ka rreth 13 vite që nuk rezulton problematik penalisht, të jetë i përfshirë në trafik narkotikësh dhe për këtë po hetohet.
Ai rezulton personazh me lidhje të fuqishme në Athinë, Korfuz e Sarandë, ku dyshohet se ka investuar në pasuri të paluajtshme. Gjithashtu, në Athinë ai rezulton pronar i një kafeneje dhe këndi lojërash në “Peristeri” dhe një biznesi dhënie makinash me qira në ishujt grekë. Gjithashtu, me biznes aktiv bar-kafeje rezulton edhe në Mesopotam, Bashkia Finiq, por nuk dihet nëse është funksional.
“Për shqiptarin Irakli Davella dikur u fol edhe në Parlamentin grek”
Irakli Davella, viktima e atentatit të djeshëm në Athinë, konsiderohet një personazh i lidhur prej vitesh me botën e krimit në Greqi. Në një dokument zyrtar të Parlamentit grek në vitin 2013, ku përmenden personazhe të përfshira në grupe kriminale të përfshira në gjobëvënie, vrasje, pastrim parash etj., nënvizohet edhe emri i 47-vjeçarit nga Mesopotami i Finiqit, i vrarë dje në Athinë. Ky i fundit rezulton të kishte pasur lidhje të forta midis Athinës, Korfuzit e Sarandës, madje edhe pronar i pasurive të paluajtshme në këto vende. Bëhet fjalë për diskutim të partisë “SYRIZA”, mbështetur edhe me dokumente zyrtarë dhe disa të marra nga mediat greke, lidhur me veprimtarinë e njërit prej pjesëtarëve të këtyre grupeve kriminale.
Mes të tjerash, në dokument, pasqyrohen emrat e pjesëtarëve të disa grupeve. Konkretisht në grupin e cilësuar “B”, ku përfshihen mafiozët grekë Vasilis Grivas (vrarë në 2017), Jorgos Litsas (vrarë në 2018) dhe Manolis Karaggianis (vrarë në 2018), rezulton edhe emri i Irakli N. Davella. Mes emrave të këtij grupi, ku janë shumë shqiptarë të tjerë, bie në sy edhe ai i Evis Shytit, një 40-vjeçar shqiptar i arrestuar sivjet si pjesëtar i një grupi gjobëvëniesh, i përfshirë edhe në një rast shpërthimi eksplozivi në muajin mars, në Pire. Grupi ku përfshihet Davella rezulton i akuzuar për “organizatë kriminale”, “vrasje”, “tentativë vrasje”, “gjobëvënës”, “grabitje”, “tentativë mashtrimi”, “pastrim parash” etj.. Nuk dihet ekzaktësisht se në cilën nga këto vepra të grupit ka qenë i përfshirë 47-vjeçari shqiptar.
Megjithatë, policia greke dhe asnjë prej autoriteteve ligjzbatuese në Greqi nuk kanë mundur të fiksojnë asnjë fakt penal të kryer nga Davella viteve të fundit, duke bërë të mundur kështu edhe dyshimet se shënjestër mund të kishte qenë miku i tij i ardhur nga Dubai, i cili mund të ketë zgjuar interesin e grupit rival për ta ekzekutuar. Megjithatë, hetimet do të vijojnë në një sërë pistash, bëjnë me dije mediat greke.