Atentati me katër viktima në Shkodër – AMP: Arrestohen katër efektivë policie për shpërdorim detyre
Autoriteti i Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar katër efektivë të policisë në lidhje me atentatin tragjik të ndodhur më 30 tetor në Dobraç të Shkodrës, ku u vranë katër persona.
Sipas hetimeve, efektivët akuzohen për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se kanë dështuar të zbatojnë detyrimet e tyre në parandalimin e ngjarjes dhe në ndjekjen e personave të përfshirë në atentat.
Atentati në Dobraç shkaktoi tronditje të madhe për shkak të numrit të lartë të viktimave dhe rrethanave të tij, ndërsa arrestimet e zyrtarëve të policisë përkeqësojnë më tej situatën duke ngritur pikëpyetje mbi përgjegjësinë institucionale.
Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme ligjore.
Njoftimi:
Shkodër – AMP ndalon 4 punonjës policie të dyshuar për “Shpërdorim detyre”
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër-Lezhë) ka ekzekutuar Urdhërat e ndalimit caktuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ndaj 4 punonjësve të policisë, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre “ pasi nuk kanë rrespektuar procedurat standarde të “Sigurimit të vendit të ngjarjes” dhe shoqërimit për identifikim të personave të gjetur në vendin e ngjarjes.
➡️ Inspektor B. K., dhe V.L., përkatësisht 45 dhe 33 vjeç, me detyrë Patrullë e Përgjithshme e Forcës së Posaçme Shqiponja në DVP Shkodër.
➡️ Inspektor J. S., dhe M.M., përkatësisht 31 dhe 33 vjeç me detyrë Trupë Shërbimi në Forcën e Posaçme Shqiponja në DVP Shkodër.
Urdhëri i ndalimit vjen pas referimit të bërë nga Drejtoria Rajonale e AMP – së, në lidhje me ngjarjen kriminale të datës 30 tetor, në lagjen Dobraç të Shkodrës, ku persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri ndaj automjetit tip Benz S-Class, në të cilin udhëtonin shtetasit H. L., dhe A. B., si dhe një person tjeter i paidentifikuar.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave mbikëqyrëse, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090.
Për ankesa me Whatsapp 0694151511
ATENTATI
Në masakrën e Shkodrës, më 30 Tetor, humbën jetën 23-vjeçari Hamza Lici, 32-vjeçari Arlind Bushati, dhe çifti i pafajshëm i bashkëshortëve, Flutura e Bashkim Basha.
Ngjarja rreth orës 15:50, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, ku persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri plumbash drejt mjetit ku udhëtonin dy viktimat 23-vjeçari Lici (shofer) dhe 32-vjeçari Arlind Bushati (pasagjer).
Pasi mjeti ku udhëtonin dy të rinjtë u qëllua me breshëri plumbash nga atentatorët, devijoi nga rruga dhe u përplas me motorin ku udhëtonin çifti Basha.
Nga përplasja gruaja, Flutura Basha gjeti vdekjen në vendin e ngjarjes, ndërsa bashkëshorti i saj, Bashkim Basha humbu jetën pas disa ditësh në intubim në spitalin e Shkodrës.
Mësohet se autorët e ngjarjes kanë realizuar me detaje atentatin në Dobraç me qëllim për të mos lënë asnjë gjurmë. Aq sa dyshohet se makina tip “Range Rover” është shkrumbuar fillimisht me acid dhe pastaj i është vënë flaka, me qëllim mos lënien e asnjë gjurme për hetuesit.
Përdorimi i acidit është bërë për të shkatërruar numrin e shasisë të makinës dhe elementeve të tjerë identifikues. Makina “Range Rover” , qe dyshohet se u perdor nga autoret rezulton e vjedhur ne Durrës me 17 Prill te ketij viti. Raportohet se mjeti eshte vjedhur ne lagjen 12 dhe ka qene pronari ne ate kohe qe beri denoncim ne policinë e Durresit.
Kjo e dhënë është përftuar nga grupi hetimor pas krahasimit qe i është bere numrit te shasisë, ne automjetin qe u djeg ne fshatin Golem.