Atentati ndaj biznesmenit të ndërtimit Eduart Reçi/ E shtëna ‘u kamuflua’ me shpërthim fishekzjarresh! Plumbi u konstatua pasi erdhi ambulanca
TIRANË – Vrasja e biznesmenit të ndërtimit në Tiranë, Eduard Reçi, është organizuar në një formë thuajse perfekte, që deri më tani, është duke ia vështirësuar punën grupit hetimor për të shkuar në ndonjë gjurmë të autorit apo autorëve të dyshuar.
Atentatorët, të cilët e kishin vënë në vëzhgim biznesmenin, e ruajtën në pallatin e ndërtuar prej tij ku edhe banonte, për të gjetur momentin e pagabueshëm për ta vrarë.
Mbrëmjen e së mërkurës rreth orës 23:00, 52-vjeçari ishte nën shoqërinë e bashkëshortes së tij, në sheshpushimin e pallatit në rrugën “Gjeneral Nikols”, përballë Fakultetit të Histori-Filologjisë. Siç burimet tregojnë, përmes dëshmive të mbledhura dhe pamjeve nga kamerat e sigurisë, të dy kanë qenë duke pastruar sheshin kryesor. Eduard Reçi ka hyrë dhe ka dalë disa herë në pallat, ndoshta për të marrë diçka në banesë.
Për të kamufluar zhurmën e armës që kishin bërë gati dhe ia kishin drejtuar 52-vjeçarit, autorët kanë hedhur disa fishekzjarrë të cilët kanë bërë shpërthime të njëpasnjëshme.
Në mesin e kësaj zhurme, Eduard Reçi rrëzohet përtokë, siç edhe kamerat e sigurisë e kanë fiksuar. Gruaja e tij nuk e mendonte tragjedinë me të cilën do duhej të përballej. Fillimisht – thonë burimet – ajo besoi se ndonjë cifël e fishekzjarrëve i kishte rënë në kokë, duke mos kuptuar se ishte plumb. Vetëm kur mbërriti ambulanca e thirrur prej saj, mjekët zbuluan se kishin të bënin me plagë të shkaktuar nga një plumb tejshpues, i cili i mori jetën biznesmenit pas ndërhyrjes pa sukses të bluzave të bardha në Spitalin e Traumës.
Kjo kohë paqartësie, nga zhurma e fishekzjarrëve, një rrëzim aksidental në tokë dhe deri tek konstatimi se kishim të bëjmë me një ngjarje kriminale, mesiguri i ka shërbyer autorëve të vrasjes të veprojnë të pa shqetësuar drejt planit të tyre të arratisë, deri më tani, të pazbuluar nga policia.
Poshtë pallatit të ndërtuesit, hetuesit gjetën një plumb, të një kalibri të vogël, i cili do të ekspertohet për të zbuluar se nga çfarë lloj arme ka dalë, pasi deri më tani dyshohet armë e ndonjë prodhim të viteve të fundit dhe e panjohur, ndërsa në vendngjarje nuk është gjetur gëzhoja.
Burime thonë se distanca nga është qëlluar dyshohet të jetë nga 20 deri ne 30 metra. Në kamerat e sigurisë rreth zonës së krimit, policia nuk ka gjetur asnjë gjurmë të autorëve, duke shkuar drejt dyshimeve se grupi i zjarrit mund të ketë qëlluar nga lartësia, nga ndonjë objekt pranë, apartament ose biznes në katet e sipërme, marrë parasysh faktin që në zonë ka edhe hotele e ndërtesa të larta që shërbejnë jo vetëm për banim por edhe zyra private.
Me asnjë “hije” të autorëve të dyshuar, hetuesit kanë zgjeruar rrezen e këqyrjes së kamerave të sigurisë në distanca më të largëta nga pallati i ndërtuesit dhe në ditët para ngjarjes për të parë lëvizje të dyshimta të personave që mund ta kenë ruajtur.
Celulari i Eduard Reçit është dërguar për ekspertim me shpresën se mund të zbulohet ndonjë e dhënë në komunikimet që ka pasur së fundmi.
Report Tv mëson se në 2015-ën biznesmeni ka bërë një kallëzim në polici për probleme pronash, i cili më vonë raportohet se është pushuar me vendim të prokurorisë.
Mediat raportojnë se 13 vite më parë, ekzaktësisht në të njëjtën datë në të cilën Reçi u vra, më 13 nëntor ndërtuesi është dhunuar te Rruga e Elbasanit, brenda një banese private, bashkë me nipin e tij. Siç mediat raportojnë, episodi i dhunës lidhej sërish me një konflikt pronësie, por nuk raportohen të dhëna se si se çfarë ka ndodhur me këtë ankesë dhe nëse konflikti i pronësisë të jetë zgjidhur ose jo.
Në pyetje janë marrë familjarët e Eduard Reçit, të cilët kanë mohuar që të kenë dijeni për përplasje apo konflikte me persona të tjerë. Vite më parë, Reçi ka qenë në krye të një drejtorie të SHISH por autoritetet ende nuk janë orientuar drejt vrasjes për shkak të kësaj detyre që ai ka mbajtur. Reçi me firmën “ELGM” ka ndërtuar edhe disa pallate të tjera në Tiranë.
Atentati
Biznesmeni Eduard Reçi u vra poshtë pallatit ku jetonte rreth orës 23:00 të 13 nentor 2024 të cilin e ka ndërtuar vet, në rrugën “Gjeneral Nikols” në Tiranë, përballë Fakultetit të Histori-Filologjisë. 52-vjeçari me origjinë nga Dibra mori një tek plumb që i përshkoi tej për tej në kokë dhe ndërroi jetë në spitalin e Traumës rreth orës 4 të mëngjesit.
Burime thonë se Reçi i cili ishte pronari i firmës “ELGM” ka ndërtuar edhe disa pallate të tjera në Tiranë.