Balluku publikon grafikun: Akset rrugore të cilat përfundojnë gjatë vitit 2024
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka bërë të ditur akset rrugore të cilat pritet të përfundojnë gjatë vitit 2024.
Balluku thekson se janë disa vepra të rëndësishme infrastrukturore, të shumëpritura, të cilat do të lehtësojnë lëvizjen dhe shkurtojnë distancat.
“2024 shënon përfundimin e disa prej veprave më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore, duke shkurtuar distancat e lehtësuar lëvizjen. Investime të shumëpritura prej vitesh, nga Jugu në Veri”, shkruan Balluku.
Në postimin e Balluku thuhet se akset rrugore që pritet të përfundojnë gjatë këtij viti janë tuneli i Llogarasë, segmenti Thumanë-Kashar, Rruga e Arbrit, Unaza e Madhe e Tiranës, Elbasan-Qafë Thanë(faza I-II), Orikum-Dukat, Palasë-Dhërmi, rruga Korçë-Ersekë, Maliq-Lozhan i Ri-Strelcë, Peshkopi-Maqellarë, Qafa e Buallit-Martanesh, rruga lidhëse e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës me autostradën Fier-Vlorë, si dhe ngritja e Qendrës së Monitorimit të Trafikut.