Bardhi: Gratë në politikë, shpesh më luftarake se burrat në mbrojtjen e interesit publik
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, mbajti një fjalim në tryezën e organizuar nga Lidhja Demokratike e Gruas, duke vënë në dukje rolin e grave në politikë. Ai vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të zonjave dhe vajzave, të cilat kanë qenë shtylla kryesore e Partisë Demokratike në aksionet dhe sfidat e saj politike. Bardhi theksoi se angazhimi i grave në politikë është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm për suksesin e çdo gare apo aksioni politik.
“Gratë në politikë, shpesh janë më luftarake se burrat në mbrojtjen e interesit publik dhe pa zonjat në krye, asnjë betejë politike nuk mund të fitohet. Kjo ndodh sepse, sipas këndvështrimit tim, çdo parti politike që synon të ketë sukses në çdo garë apo aksion politik, duhet t’i ketë zonjat në ballë, në krye, aty ku e meritojnë. Ky zotim nuk duhet të jetësohet thjesht si kuotë gjinore, një betejë që Albana dhe koleget e saj të nderuara në parlament e kanë zhvilluar gjatë miratimit të Kodit Zgjedhor, por duhet të jetësohet sepse roli juaj është i pazëvendësueshëm”, thotë Bardhi.
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së shtoi se angazhimi në politikë nuk është i lehtë për zonjat.
“Angazhimi juaj gjatë këtyre 12 viteve, për shkak të regjimit të Edi Ramës, ka qenë shumë i vështirë. Kam takuar mësuese, mjeke dhe zonja punonjëse në administratë që angazhohen në Partinë Demokratike, dhe që më tregojnë se si, edhe në vitin 2024, vijojnë të intimidohen dhe të përndiqen, vetëm sepse angazhohen në politikë dhe janë pjesë e Partisë Demokratike. Por, ndonëse flasin për intimidimin, presionin apo përndjekjen që u bëhet çdo ditë, në çdo bisedë me to shoh vendosmërinë për të vazhduar përpara, për të qëndruar, për të sakrifikuar dhe për të bërë më të mirën, sigurisht për Partinë Demokratike, por mbi të gjitha për Shqipërinë”, tha Bardhi.