Beleri zbardh bisedën me Mitsotaqisin: Nëse lirohem, zgjedh Himarën, jo atë të eurodeputetit. Rama më bëri të famshëm
Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri në një intervistë telefonike nga burgu deklaroi se nëse Gjykata e Apelit e shpall të pafajshëm, do të zgjedhë të jetë kryebashkiak i Himarës, dhe jo deputet në Parlamentin Europian.
Fredi Beleri tha se ka besim te drejtësia dhe se nëse nuk do e gjejë në Shqipëri të drejtën e tij, më pas do e kërkojë atë në Gjykatën e Strasburgut. Gjitashtu, Beleri deklaroi se nëse shkon në Parlamentin Europian do të mundohet të japë kontributin e tij edhe për Shqipërinë, pasi për të, Shqipëria nuk është Edi Rama.
“Të martën u bë mbledhja e parë dhe me leje mu dha mundësia të marr pjesë në mbledhje. Këtu personeli më sillet me profesionalizëm. Jam si gjithë të tjerët. Në mbledhje mora pjesë me leje. Mitsotakis më përgëzoi për fitoren dhe më tha se ishte i kënaqur. Unë jam një nga 21 deputetët grekë dhe do kem të njëjtat politika me ta në Parlamentin Europian. Gjithashtu unë jam edhe shqiptar e do mundohem të bëj kontributin tim. Për mua Shqipëria nuk është Edi Rama. Nëse dal i pafajshëm unë do zgjedh Bashkinë e Himarës”,– tha Beleri.
Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, në një intervistë telefonike nga burgu për Euronews Albania zbuloi se çfarë kishte biseduar me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis në një telefonatë të zhvilluar të hënën, pasi u zgjodh eurodeputet.
Beleri tha se kryeministri grek e kishte uruar për emërimin e tij si deputet në Parlamentin Europian dhe i kishte thënë se tashmë do të jenë bashkë për të treguar problemet për çështjen e Himarës.
“Të hënën zoti Mitsotakis më mori në telefon për të më uruar pas lejes së posaçme që kishte marrë nga SPAK dhe të martën u bë mbledhja e Eurodeputetëve të demokracisë së re të zgjedhur dhe prap me leje mu dha mundësia të marr edhe unë pjesë në mbledhje. Më përgëzoi për fitoren. Më tha që ishte i kënaqur me rezultatin dhe me përepjkjen që bënë njerëzit e mi në fushatë. Më tha që këtej e tutje do të jemi të gjithë bashkë për të treguar problemet për çështjen e Himarës, mbi çështjet e shtetit ligjor në Shqipëri dhe për përpjekjen tonë për të përmirësuar marrëdhënien mes dy shteteve”, –tha Beleri.
Ai u shpreh se nëse nuk do ishte dënuar në Shqipëri, nuk do ishte bërë i njohur në Greqi dhe nuk do ishte zgjedhur eurodeputet, ndaj një meritë në fitoren e tij pa dashur ka edhe kryeministri Edi Rama.
“Ishte një fitore e madhe e demokracisë, e dritës mbi errësirën, populli grek më nderoi. Mitsotakis bëri gjysmën e punë, gjysmën tjetër e bëri populli grek që më votoi. Nëse nuk do isha dënuar, duke kaluar 1 vit këtë peripeci nuk do isha bërë i njohur nw Greqi dhe nuk do isha votuar. Nuk ishte qëllimi im, pa dashur Edi Rama ka ndihmuar”, tha Beleri.
Sipas tij, me votën e vet populli grek vuri në vend një padrejtësi pasi nuk mund të tolerojë shkeljen e shtetit të së drejtës.
“Për popullin grek shteti ligjor është i padiskutueshëm, që një njeri të mbahet në burg një vit, t’i vidhet mandati, në demokraci s’mund të ndodhë që të merret pushteti në tavolinë me një çështje të stisur nga fillimi në fund. Këto për shoqërinë greke janë të patolerueshme, këtu ishin disa vendime të mirëorkestruara për të mos lejuar të marr bashkinë. Populli grek me votën e vet vendosi në vend një padrejtësi”, u shpreh Beleri.