Belinda Balluku drejt një fitoreje të thellë e historike në Qarkun e Fierit. Gazment Bardhi mbetet spektator i vetvestes!

Nga Marsela Topi: Opinion-Analizë
Fieri këtë herë nuk është thjesht një qark në zgjedhje, por një arenë ku përplasen dy modele tërësisht të ndryshme politike: njëra që punon dhe sjell rezultate, dhe tjetra që konsumon vetveten në retorikë të vjetruar. Belinda Balluku vjen në këtë betejë jo si kandidate formale, por si një figurë e konsoliduar, me terren real dhe me një marrëdhënie të ndërtuar me kohë me qytetarët. Ajo nuk ka nevojë të premtojë asgjë që nuk e ka bërë tashmë – investimet në infrastrukturë, energji, transport dhe shërbime publike janë prova konkrete të angazhimit të saj të pakushtëzuar ndaj këtij qarku.
Ndërkohë, Gazment Bardhi shfaqet si një emër i imponuar, pa rrënjë dhe pa ndonjë lidhje reale me qytetarët e Fierit. Fushata e tij duket më shumë si përpjekje për të mbijetuar politikisht brenda një opozite të përçarë, sesa për të fituar besimin e qytetarëve të thjeshtë. Asnjë projekt konkret, asnjë vizion për Fierin, asnjë ofertë që të ngjallë shpresë. Vetëm akuza të stërpërsëritura dhe një retorikë e zbrazët që nuk e frymëzon më askënd.
Ndaj, pritshmëritë janë të qarta dhe të padiskutueshme: Belinda Balluku do të dalë jo vetëm fituese, por do të shënojë një rezultat historik për Partinë Socialiste në këtë qark. Ajo po merr mbi vete një besim që ka lindur nga kontaktet e drejtpërdrejta me njerëzit, nga përgjigjet ndaj halleve të përditshme dhe nga gatishmëria për të qenë gjithmonë aty ku kërkohet zgjidhje. Kjo fitore nuk është e rastësishme – ajo është produkt i punës, seriozitetit dhe përkushtimit.
Në fund, Gazment Bardhi do të mbetet me gisht në gojë, jo sepse nuk luftoi mjaftueshëm, por sepse nuk pati kurrë një kauzë reale për të përfaqësuar. Ai nuk garon me Ballukun, por me boshllëkun e vet politik. Ndërsa Balluku e kthen fushatën në një referendum për vazhdimësinë e punëve të mëdha, Bardhi mbetet peng i një fushate të paqëndrueshme dhe të tejkaluar. Fierakët nuk janë më votues të rastësishëm – ata janë qytetarë që dinë të njohin ndryshimin dhe të shpërblejnë ata që e sjellin atë. Dhe këtë herë, ky është momenti i Belinda Ballukut.
Gazetare, Marsela Topi / fieriweb.com