Berat – Policia kap drejtuesin e automjetit që u largua nga vendi i aksidentit

Berat – Policia ka identifikuar dhe ndaluar drejtuesin e mjetit që pesë ditë më parë përplasi një këmbësore në rrugën “Antipatrea” dhe u largua nga vendi i ngjarjes.
Pas veprimeve hetimore dhe operacionale, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor bënë të mundur kapjen e shtetasit E. V., 60 vjeç, banues në Berat, i cili përplasi E. D., 37 vjeçe, dhe më pas u largua pa dhënë ndihmë.
Automjeti i përdorur në aksident është gjetur dhe sekuestruar nga policia. Ndaj drejtuesit të mjetit janë ngritur akuzat për “Drejtim të mjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”, ndërsa Prokuroria ka vendosur procedimin e tij në gjendje të lirë.
Fatmirësisht, 37-vjeçarja ka marrë mjekim në spital dhe është larguar për në banesë, jashtë rrezikut për jetën.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.