Berisha nga Strasburgu: Mora garanci të plota për vëzhgimin e hollësishëm të zgjedhjeve! Narkoshteti i Ramës rrezikon Europën

Duke folur për mediat pas takimeve të shumta në Strasburg, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është shprehur se, ka marrë garanci të plota nga grupet parlamentare të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës, për dërgimin e delegacioneve me qëllim mbikëqyrjen e zgjedhjeve të 11 majit.
Gjatë këtyre takimeve, Berisha u shpreh se ka informuar ndërkombëtarët për rrezikun e madhe që paraqet narkoshteti i Edi Ramës jo vetëm për Shqipërinë dhe rajonin, por edhe për të gjithë Europën.
Pyetje: Keni pasur disa takime në Asamblenë Parlamente të Këshillit të Europës. Keni mbajtur dy fjalime, në dy grupe parlamentare të ndryshme. A ishin të informuar për situatën dhe për atë që ndodh në Shqipëri, gjatë këtyre takimeve informale, përveç fjalës tuaj të hapur.
Sali Berisha: Nuk mund të them se ishin të informuar, por natyrisht krejtësisht pa informacion nuk ishin. Megjithatë, kjo për mua ishte një ditë shumë e rëndësishme, ku pata mundësinë të paraqes gjerësisht, para një audience të gjerë, para dy grupeve parlamentare dhe të disa delegacioneve, të grupit parlamentar të Partive Popullore Europiane, dhe të grupit parlamentar të Konservatorëve dhe Patriotëve Europian, të takohem me disa delegacione, siç ishte delegacioni i Suedisë, i Greqisë, delegacioni i Italisë.
Të takoj në një takim të veçantë dhe shumë të rëndësishëm me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, zotin Theodoros Roussopoulos dhe takime të tjera pastaj me miq. Mendoj se ekspozeja dhe paraqitja e situatës, e një Shqipërie që në 30 vjetorin e anëtarësimit të saj në Këshillin e Europës është kthyer në një narkoshtet që përbën rrezik jo vetëm për qytetarët e vet, por për rajonin dhe Europën. Kishte një rëndësi shumë të madhe për vendin, kishte një rëndësi shumë të madhe për të ardhmen e Shqipërisë.
Faktet janë aq kokëforta dhe aq bindëse sa që, mund të them siç u pa dhe pata fatin gjatë ditës të marr përshtypje falënderuese dhe falënderim për ekspozetë që paraqita në këto dy grupe parlamentare dhe në delegacionet e vendeve anëtare që takova.
Qëllimi kryesor ishte të zgjoja vëmendjen e madhe që duhet të tregojnë për zgjedhjet dhe mora garanci të plotë se, përfaqësuesit e këtyre grupeve do të jetë të pranishëm dhe me interesin më të madh për vëzhgimin më të hollësishëm të zgjedhjeve të ardhshme. I njohja me gjithë mekanizmat që ka krijuar Edi Rama. Arrestimin e liderëve të opozitës vitin elektoral, etj., etj., kështu që them se u bë një punë shumë e mirë.
Pyetje: Ju më herët keni denoncuar faktin se Edi Rama i keqinformon europianët. A ka ndryshuar kjo situatë tashmë.
Sali Berisha: Kjo situatë po ndryshon, them se po ndryshon, nuk mund të them se ka ndryshuar plotësisht, sepse ju e patë edhe në takimin e fundit që pata, njerëzit mbetën të habitur nga ato që dëgjonin. Kjo situatë ndryshon. Ajo që është shumë e rëndësishme është se, nuk është më një situatë e mbuluar nga heshtja, nga censura, nga terri. E thashë dhe në takimin e fundit, janë përpjekur shumë ta izolojnë PD-në dhe të mbulojnë të gjithë këtë veprimtari të Edi Ramës. Por tani kjo ka marrë fund. Gjërat po dalin në dritën e diellit dhe po kuptohet shumë mirë se ç’përfaqëson regjimi i Tiranës.