Biden bisedon me udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë rreth situatës në Rusi
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden foli me udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë të shtunën, ndërsa kolona e mercenarëve rusë po udhëton me shpejtësi drejt Moskës pasi mori kontrollin e një qyteti jugor gjatë natës, tha Shtëpia e Bardhë.
“Udhëheqësit diskutuan situatën në Rusi. Ata pohuan gjithashtu mbështetjen e tyre të palëkundur për Ukrainën”, thuhej në deklaratë.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Biden u informua për situatën në Rusi nga ekipi i tij i sigurisë kombëtare të shtunën në mëngjes dhe se presidenti do të vazhdojë të informohet gjatë gjithë ditës.
Një zëdhënës i Kancelarit gjerman Olaf Scholz tha se gjatë bisedës, katër udhëheqësit kishin riafirmuar angazhimin e tyre për të vazhduar mbështetjen ndaj Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Të njëjtin angazhim për Ukrainën përcolli edhe zyra e Kryeministrit britanik Rishi Sunak, duke shtuar se udhëheqësit “kanë rënë dakord të qëndrojnë në kontakt të ngushtë në ditët në vijim”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, bisedoi gjithashtu me homologët e vendeve të G7.
Zelenskyy i bën thirrje Putinit të tërheqë trupat ruse nga Ukraina
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të shtunën se revolta e trupave mercenare të grupit Wagner në Rusi ekspozoi kaosin e plotë në vend.
“Sot bota mund të shohë se zotërit e Rusisë nuk kontrollojnë dot asgjë. Asgjë. Plotësisht kaos”, tha Presdenti Zelenskiy në fjalimin e tij.
Zoti Zelenskiy tha se ukrainasit nuk do të heshtin, nuk do të qëndrojnë duarkryq dhe se “siguria e krahut lindor të Evropës varet rreptësisht nga mbrojtja jonë”, siç u shpreh ai.
Presidenti Zelenskiy iu drejtuar në gjuhën ruse Presidentit Vladimir Putin duke thënë se: “Sa më gjatë të qëndrojnë trupat tuaja në tokën ukrainase, aq më i madh do të jetë shkatërrimi që do t’i shkaktohet Rusisë”./VOA